Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Agjencia për Regjistrim Civil dhe Pikat e Kalimit Kufitar në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, kanë administruar gjithsej 58.027 stikersa për targa.
Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku edhe janë publikuar statistikat për secilën pikë kufitare.
Sipas të dhënave më së shumti janë dhënë stikersa në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ndërkaq më pas vijnë pika kufitare Muqibabë e Zveçan.
Pas 13 ditësh në krye të detyrës, rreth dy javë më parë pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës u kthyen nëpër shtëpitë e tyre, duke i lënë në dorë situatën në veri të Kosovës forcave të KFOR-it.
Tetë orë ishte koha që u caktua sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, brenda së cilës kohë serbët që po mbanin të bllokuar rrugët për Jarinë e Bërnjak të largoheshin, paralelisht me Njësinë Speciale që po përkujdesej për sigurinë atje.
Pikat kryesore të marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë:
-Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.
– Më datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.
– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut. /Telegrafi/