Një ditë më parë në Rozhajë është nënshkruar marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.
E lidhur me këtë ka shkruar edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili në një postim në Facebook shkruan se për këtë projekt të shumëpritur nga qytetarët do të punojnë me intensitet të shtuar.
“Rozhajë, nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.
Do të punojmë me intensitet për të avancuar dhe çuar para këtë projekt të shumëpritur për qytetarët e të dyja vendeve, projekte me rëndësi madhore për infrastrukturën dhe ekonominë e të dyja vendeve, projekte kombëtare që lehtësojnë pafundësisht ndërlidhjen e qytetarëve të Kosovës me Malin e Zi.
Falënderoj Ministrin e Investimeve Kapitale në Qeverinë e Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, si dhe të gjithë ekspertët e përfaqësues nga komuna të ndryshme, që u bënë pjesë e kësaj tryeze gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit”, shkruan Aliu. /Telegrafi/