Marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen e certifikatave të ADR-së, javën e kaluar, ka nisur zbatimin.
Kamionë që transportonin materie të rrezikshme, kanë kaluar sot në mënyrë të papenguar kufirin mes dy vendeve.
Sipas informacioneve të Doganës së Kosovës, deri më tani nuk është paraqitur ndonjë problem në respektimin e kësaj marrëveshje.
Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës ka thënë për lajmi.net se deri tani nga Serbia në Kosovë kanë hyrë 4 kamionë me certifikata të ADR-së, të Serbisë, kurse nga Kosova ka dalë një kamion me certifikatë të ADR-së të Kosovës.
“Sipas informatave të fundit që ka pasur për ditën e djeshme, kur edhe ka filluar edhe zbatimi i marrëveshjes, janë bërë 4 importe nga Serbia me ADR të Serbisë dhe, ka dalë një eksport nga ana jonë me ADR të Kosovës, i cili ka kaluar pa probleme”, ka bërë të ditur Stavileci për lajmi.net.
Marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ishte arritur në Bruksel me 20 prill të këtij viti. /Telegrafi/