Telegrafi

Marrëveshja me Bechtel në fundjavë, makineria niset drejt Kosovës

Një numër i madh automjetesh ku përfshihen autobetoniere, autovinça, automjete të tonazhit të rëndë, rula, eskavatorë, autobusë të tipit amerikan “Blue Bird” si dhe automjete të vogla fuoristarda të tipit “Mitsubishi” për transportimin e personelit inxhiniero-teknik, i janë nënshtruar servisit dhe janë të gatshme në pritje të urdhrit për në Kosovë. Këto automjete janë te parkuara në një shesh në hyrje të portalit verior të tunelit të Kalimashit. “Këto automjete i janë nënshtruar servisimit pasi kanë punuar për rreth katër vjet në ndërtimin e autostradës Rreshen-Kalimash dhe tunelit dhe janë në pritje për fillimin e punës në Kosovë”, thotë Asllan Braha, pronar i kompanisë së sigurisë “Braha” që ruan kantieret e kompanisë ‘Bechtel&Enka”

Nderkaq MTPT-ja është duke i vazhduar negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka” konzorciumin amerikano-turk për çështje teknike se si do të realizohet kjo autostradë që të jetë më e leverdishme dhe më e favorshme për ekonominë e vendit tonë.
Fillimi i ndërtimit të autostradës, e njohur si Rruga e Kombit, parasheh se do të punësojë mijëra persona. Kjo autostradë do të jetë urë lidhës e shqiptarëve në Ballkan dhe do t’i lidhë të gjitha vendet e rajonit me Detin Adriatik.

Sipas nje burimi te gazetes, të gjitha bisedat dhe procedurat janë kryer dhe se këtë të mërkurë do të mbahet mbledhja e komitetit drejtues për autostradën, që do të vendosë për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Marrëveshja me kompaninë ‘Bechtel & Enka’ do të nënshkruhet të enjten ose të premten”, i ka thënë shkurt ky burim gazetës./telegrafi/epoka/koha/