Telegrafi

Marrëveshja me Bechtel & Enka para përfundimit

Kryeministri Thaçi ka njohur kabinetin qeveritar se javën e ardhshme në Kosovë do të qëndrojë në Kosovë, komisari për zgjerim i BE-së, Olli Rehn. Ai ka theksuar se së shpejti Kosova do të marrë pyetësorët për marrëdhënie tregtare me BE-në dhe për liberalizimin e vizave dhe ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të angazhohet maksimalisht në plotësimin e të gjitha kritereve dhe kërkesave nga ana kosovare.

Në mbledhje, Thaçi ka thënë se së shpejti pritet përfundimi i marrëveshjes me kompaninë Bechtel&Enka, për fillimin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdare dhe pritet që për një kohë të shkurtër të përfundojë edhe procesi i koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 239 mijë euro për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbulimin e shpenzimeve për procesin zgjedhor në Gjilan, Istog dhe Partesh, shpenzime të cilat nuk ishin të parapara me projeksionet buxhetorë për vitin 2010.

Qeveria po ashtu ka miratuar Projektligjin për greva me të cilin do të rregullohen të drejtat e punëtorëve për greva, udhëheqjen dhe kohëzgjatjen e grevës, arsyet e mbajtjes së grevës, solidaritetin në greva, mënyrën e organizimit dhe udhëheqjen e grevës së ligjshme nga këshilli grevist.

Në dispozitat e Ligjit për paralajmërimin e grevës është përcaktuar vendi ku mbahet greva, dita e mbajtjes së grevës si dhe koha e fillimit të saj, duke i lajmëruar organet kompetente që të mbahet rendi gjatë grevës dhe të mos dilet jashtë kontrollit.

Gjithashtu, dispozitat e Projektligjit për Grevat përfshin udhëheqjen e grevës, ku këshilli grevist ka për detyrë ta udhëheqë grevën dhe të përfaqësojë interesat e punëtorëve.

Për punët që nuk duhet të ndërpriten gjatë grevës, organi kompetent duhet të marrë masa që të mos shfaqet rreziku për jetën dhe shëndetin e njerëzve, sigurinë e tyre, sigurinë e pasurisë, duke theksuar se greva nuk mund të ushtrohet në shërbimet jetike.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për Bankën Qendrore, i cili e konsolidon këtë institucion konform sistemeve evropiane të bankave qendrore.

Banka Qendrore do të sigurojë dhe do të ruajë stabilitetin financiar në vend, si dhe do të sigurojë zbatimin e direktivave evropiane për sistemet bankare. Projektligji, gjithashtu rregullon edhe formën e Qeverisjes së Bankës Qendrore. /Telegrafi/