Site icon Telegrafi

Marrëveshja me KFOR-in për pikat kufitare dhe refuzimi nga serbët, Sveçla: Njësia Speciale largohet kur të hiqen barrikadat

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur sot rreth vendosjes së trupave të KFOR-it në veri, duke thënë KFOR-i ka ofruar angazhim shtesë, sigurimin e policisë kufitare dhe pikave kufitare dhe se me largimin e barrikadave prezenca e Njësisë speciale do të ishte e panevojshme.

Sveçla në një konferencë për media tha se edhe kjo ofertë e KFOR-it është refuzuar nga elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim u dëshmua se nuk janë të brengosur me praninë e Njësisë speciale të Kosovës por që veprimet e tyre janë politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë.

“Ne që nga dita e parë e kemi bërë të qartë se masat e ndërmarra nuk janë drejtuar kundër qytetarëve të cilësdo përkatësi. Është përmbushje e obligimit ligjor për të siguruar rend dhe ligj. Angazhimi i Njësive speciale të Policisë së Kosovës është bërë për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe personelin që shërben aty, Policinë e kufirit dhe doganierët. Pas vendosjes së barrikadave kemi parë ashpërsim të retorikës së autoriteteve serbe dhe përfaqësuesve të strukturave paralele”, tha ai, raporton Telegrafi.

Lexo po ashtu Sveçla: Prania e Policisë në pikat kufitare nuk është provokim, e as kërcënim, po zbatohen vendimet e shtetit

Ai bëri të ditur se KFOR-i ka ofruar angazhim shtesë, sigurimin e policisë kufitare dhe pikave kufitare dhe  me largimin e barrikadave prezenca e Njësisë speciale do të ishte e panevojshme.

Lexo po ashtu Ministri i Brendshëm i Austrisë: Policia e Kosovës në veri po bën gjënë e duhur dhe po vepron me kujdes, edhe pse nuk e kanë të lehtë

“Edhe kjo ofertë e KFOR-it është refuzuar nga elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim u dëshmua se nuk janë të brengosur me praninë e Njësisë speciale të Kosovës por që veprimet e tyre janë politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë.

Njësitë Speciale të Policisë janë aty për të mbështetur punën e institucioneve tjera atje, doganës dhe Policisë kufitare.

Në momentin që do të përfundojë nevoja për këtë mbështetje nuk kemi arsye që policia speciale e Kosovës të qëndroj aty”, tha ministri.

Sveçla tha se është i vetëdijshëm se për ata nuk është e lehtë për veprimet që po ndërmarrin.

“Unë u jam mirënjohës për punën që po e bëjnë, sjelljen e tyre profesionale e korrekte dhe them se kjo do të duhej të përfundonte sa më shpejt që është e mundshme. Dhe kjo do të ndodhë kur rendi dhe ligji sundojnë në atë zonë, duke nënkuptuar largimin e barrikadave, largim që do të mundësonte qarkullimin e lirë të qytetarëve”.

Ai ka falënderuar edhe KFOR-in dhe EULEX-in për mbështetjen që kanë ofruar. /Telegrafi/

Exit mobile version