Telegrafi

Marrëveshja historike për themelimin e Ligës UNIKE nënshkruhet të enjten

Të enjten, më 10 shtator, ora 19:00 në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshja historike ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet “Liga UNIKE”.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, në praninë e Besa Shahinit, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Vlora Dumoshit, ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE.

Pas një pune të gjatë dhe intensive mes dy federatave, më në fund po jetësohet ëndrra për zhvillimin e veprimtarive basketbollistike të trevave shqiptare.

Në Ligën Unike do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria – thuhet në njoftimin e FBK-së.

Liga Unike pritet të fillojë së shpejti, gjatë këtij edicioni sportiv, dhe parashikohet të jetë shumë interesante, duke zgjuar interesimin e tifozëve shqiptarë, kurse në parket pritet të ketë shumë rivalitet mes skuadrave që do të përfshihen në këtë kompeticion.

Po ashtu, të enjten bordi drejtues i Ligës UNIKE që përbëhet nga dy anëtarë të bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga dy sekretarët e përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë, ku do të emërojë edhe kryetarin e bordit drejtues, e do të emërojnë stafin e zyrës së Ligës UNIKE.

Duhet theksuar se ky është një hap i madh për basketbollin në hapësirat shqiptare duke formuar Ligën UNIKE. Ky projekt është përkrahur nga komuniteti i basketbollit në Shqipëri dhe Kosovë, duke e konsideruar atë si një event të shumëpritur dhe gjithashtu është përkrahur edhe nga FIBA Evropa.