Telegrafi

Marrëveshja franko-gjermane çelësi i borxhit grek

Ministri francez i financave tha se një marrëveshje franko-gjermane është çelësi për të arritur një marrëveshje që do të ndihmonte Greqinë dhe do të siguronte që vendi të kapërcente krizën e borxheve.

Parisi ishte qyteti i parë evropian që ministri grek Yanis Varoufakis vizitoi të dielën në një përpjekje për të kërkuar më shumë kohë për të zgjatur marrëveshjen ekzistuese me BE-në ose për të rinegociuar një program të ri.

Franca, e cila ka problemet e veta buxhetore dhe po kërkon më shumë fleksibilitet nga regullat buxhetore të BE-së, ka ofruar të lehtësojë bisedimet e borxhit me qeverinë greke.

Por ministri i financave Michel Sapin i tha agjencisë Reuters, pas takimit me ministrin e ri grek të financave Yanis Varoufakis se një marrëveshje franko-gjermane është jetësore për çdo vendim.

“Nuk flasim për stimulimin e ekonomisë përmes rritjes së shpenzimeve por për qëndrueshmëri me investime që në të njëjtën kohë do të modernizojnë ekonomitë. Mendoj se kjo është zgjidhja. Të gjitha vendet po e diskutojnë dhe sigurisht edhe Franca dhe Gjermania. Asgjë e fuqishme dhe e qëndrueshme nuk mund të bëhet në Evropë pa një marrëveshje mes Francës dhe Gjermanisë”.

Por Parisi dhe Berlini kanë qëndrime të ndryshme. Ndërsa Gjermania ka thënë se nuk ka arsye që trojka të rinegociojë me Greqinë, ministri Sapin tha se mund të përdoren mjete të reja.

Kërkesa e Greqisë për më shumë kohë për të negociuar një marrëveshje të re me BE-në është e arsyeshme sa kohë paraqet bazat për një plan reformash që mund të forcohet gradualisht thotë ministri francez. /Telegrafi/