Telegrafi

Marrëveshja me emigrantët, Rama: Shtyrja e hapjes së kampeve çështje e Italisë

Hapja e dy qendrave për pritjen e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër më 20 maj, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar u shty për shkak se punimet nuk kishin përfunduar.

Kryeministri Edi Rama i pyetur nga ‘La Repubblica’, në lidhje me shtyrjen e hapjes së qendrave të pritjes për emigrantët, tha se kjo i përket tashmë shtetit italian.

“Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”, u shpreh Rama.

Rama shprehet skeptik mbi politikat që do të ndiqen nga BE dhe Italia për mbarëvjatjen dhe funksionimin e këtyre dy kampeve.

“Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i tij! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?”.

Një grup deputetësh të opozitës italiane ishin në Shqipëri më 22 maj, në një vizitë blitz për të parë nga afër zonën ku do të ngrihen 2 qendrat e emigrantëve të cilat ishin paraparë të hapeshin të hënën, më 20 maj.

Emigrantët do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit gjatë periudhës që kryhen procedurat për azil në Itali. Në portin e Shëngjinit aty ku pritet të mbërrijnë emigrantët e parë në muajin nëntor, punimet kanë ecur me ritme të shpejtë. Investimi me vlere 653 milion euro po bëhet me fonde të qeverisë italiane bazuar në marrëveshjen Rama-Meloni firmosur në nëntor 2023. Maksimumi i kapacitetit të kampit në një vit është 36 mijë persona. /Telegrafi/