Site icon Telegrafi

Marrëveshja e detit me Greqinë, Ministria e Jashtëm i plotëson kërkesat e Presidentit Meta

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën me dije se i është përgjigjur të gjitha kërkesave të Presidentit Meta lidhur me kërkesën për autorizim të negociatave me Greqinë.

Lajmin e bëri të ditur vetë Ministria e Jashtme përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat.

6 ditë më parë, në një dalje publike, kreu i shtetit i kërkoi ministrit Ditmir Bushati që të qartësojë kërkesën e autorizimit për marrëveshjen e detit me Greqinë. Madje, zyra e shtypit e Presidencës publikoi edhe letrën zyrtare që Presidenti i ka dërguar ministrit Bushati, ku i kërkoi që të saktësojë objektin e qartë për autorizimin e plotfuqisë si dhe të plotësohen emrat, funksionet dhe profesionet e atyre që do të jenë pjesë e grupit negociator.

Sa i përket metodologjisë, Presidenti kërkoi shpjegim se ku do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte dhe ku ai barazlargësisë me korrektim.

Presidenti Meta theksoi se Gjykata Kushtetuese i njeh kreut të shtetit të drejtën që të udhëheqë negociatat, por shtoi se nuk e synonte një gjë të tillë, pasi nuk ndjehej ekspert. Presidenti e quajti gjithashtu të panevojshme që të dërgonte një njeri të besuar të tij në grupin negociator.

Një ditë më parë, vetë Kryeministri Rama lajmëroi gjatë konferencës për shtyp me presidentin e Komisionit Europian, se tashmë Presidenti Meta i ka mbi tavolinë informacionet që ka kërkuar për të dhënë miratimin për ndarjen e detit. /Telegrafi/

Exit mobile version