Zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel, ka thënë se ka dështuar marrëveshja e tregtisë së lirë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, e njohur si TTIP. Por, këtë askush nuk po e pranon, raporton Independent.
Ai zbuloi se në 14 raunde të negociatave, të dy palët kanë dështuar të arrijnë marrëveshje në ndonjë nga 27 kapitujt e marrëveshjes së propozuar.
Raundi i 14-të i bisedimeve, i mbajtur në Bruksel në korrik, ishte përpjekja e tretë për një marrëveshje në gjashtë muajt e fundit. Pas këtyre bisedimeve ishte e qartë se ka probleme, ndërsa një numër i udhëheqësve evropianë shprehën shqetësimin se SHBA-të nuk janë përgatitur për të pranuar ndryshimet në marrëveshjen e propozuar, transmeton Telegrafi.
Gabriel, i cili është edhe ministër gjerman i Ekonomisë, ka thënë se tani, sipas mendimit të tij, “negociatat me Shtetet e Bashkuara në fakt kanë dështuar, edhe pse askush nuk dëshiron këtë ta pranojë”.
Ai gjithashtu përmendi se CETA, marrëveshja ekonomike dhe tregtare në mes të Evropës dhe Kanadasë është më e drejtë për të gjitha palët sesa ajo që ofrohet në TTIP. /Telegrafi/
TTIP has officially failed, according to one of the key officials negotiating it https://t.co/AxvILNH8w2
— The Independent (@Independent) August 28, 2016