Shefi i EULEX-sit, Yves de Kermabon, është personalitet i mirënjohur që ka merita të veçanta për arritjen e pavarësisë së Kosovës, prandaj kemi arsye për t’i besuar se, nënshkrimi i Protokollit të Bashkëpunimit me Serbinë ka qëllim “Bashkëpunimin rajonal që është i domosdoshëm, me qëllim të luftës efikase kundër krimit të organizuar, kalimit ilegal të kufirit dhe kontrabandës. EULEX-i ka mandat ekzekutiv që t’i ndjek kriminelët dhe t’i hedhë para gjyqësisë së Kosovës”.
EULEX-i definitivisht do ta realizojë Protokollin e Bashkëpunimit Policor me Serbinë, përkundër reagimeve të shumta nga institucionet e Republikës së Kosovës, që janë shprehur kundër nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, duke theksuar se nuk përkon me zhvillimin e proceseve dhe statusin e Kosovës – shtet i pavarur, tashmë të pranuar nga 62 vende te botës. Dhe jo vetëm kaq, Kosova jo vetëm që është shpallur shtet, por edhe po funksionon mirë dhe, kjo komponentë ekskluzive duhet të kihet parasysh në të gjitha rastet e vlerësimit të preokupimeve zhvillimore të saj, gjë që, është fakt se iniciativa e EULEX-it për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë duke anashkaluar institucionet e Republikës së Kosovës, është një situatë që kërkon analizë më të thellë dhe të vëmendshme, para se të dilet me qëndrime dhe konstatime të prera.
Iniciativa tashmë është në aktin final të realizimit dhe, nuk ka dyshim se do të realizohet. Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, e ka thënë qartë: “Bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, me qëllim të luftës efikase kundër krimit të organizuar, kalimit ilegal të kufirit dhe kontrabandës. EULEX-i ka mandat ekzekutiv që t’i ndjek kriminelët dhe t’i hedhë para gjyqësisë së Kosovës”. Ndërsa institucionet e Kosovës janë këmbëngulëse që EULEX-i nuk ka të drejtë të bëjë marrëveshje me Serbinë sepse kjo përgjegjësi i përket vetëm institucioneve të Republikës së Kosovës.
Problemi nuk është aspak i thjeshtë. Shqetësimi kosovar është i arsyeshëm, sikurse që deklarimi arsyetues pro nënshkrimit të protokollit, gjithashtu është kuptimplotë: Misioni i EULEX –it synon të pamundësojë krimin e organizuar, kontrabandën dhe pasojat e lëvizjeve ilegale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që dihet se aktualisht manifestojnë një gjendje të plotë kaosi me rrezik pasojash të rënda. Kjo gjendje është e mirënjohur për institucionet e Kosovës të cilat e kanë ngritur zërin kundër gjendjes së keqe dhe kanë kërkuar në vazhdimësi marrje masash për sanimin e saj.
EULEX –i që e zëvendësoi UNMIK-un e “skaduar” ishte dhe është shpresa e daljes nga situata, kjo sidomos kur krahas vendosjes dhe shtrirjes në terren, po ndodhnin nënshkrime të rëndësishme marrëveshjesh bilaterale bashkëpunimi me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë, për të dalë të Serbia. Por këtu plasi “sherri” sepse Kosova u anashkalua dhe, shqetësimi është i madh. Shqetësimi nuk ka dyshim se është i arsyeshëm, por gjithashtu, ka vend të thuhet se, mënyra e artikulimit të pakënaqësisë dhe e kundërshtimit, kemi përshtypjen se, si edhe në disa raste të tjera të mëhershme, nuk ka qenë më e mira.
Një qasje me e “ftohtë” do të reflektonte vigjilencë më të arsyeshme, që do të duhej të nisej nga fakti se, EULEX-i në Kosovë nuk ka pikur nga qielli, por ka ardhur me kërkesën e institucioneve të Kosovës dhe me miratimin e plotë të tyre, prandaj EULEX-i në çfarëdo varianti të vlerësimit është pjesë përbërëse e Kosovës, një “ekstra-strukturë” e autorizuar për “të siguruar ruajtjen dhe promovimin e sundimit të ligjit, rendit dhe të sigurisë publike”. Ky është fakti bazik edhe për pasqyrimin e çështjes së nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit me Serbinë, që EULEX-i e ka thënë qartë, nuk e bën në emër të institucioneve të Kosovës por e bën në emër të EULEX-it!
Se EULEX-i do ta nënshkruajë Protokollin me Serbinë, nuk ka dyshim. Angazhimi në vazhdim ka të bëjë me efektet e saj në praktikë. Përmbushja e objektivave të deklaruara nga ana e EULEX-it duhet të jenë brenga dhe preokupimi për institucionet e Republikës së Kosovës, sepse, gjendja aktuale ndërkufitare Kosovë – Serbi është e rëndë dhe duhet të bëhet e pamundura që ajo të tejkalohet. Serbia dhe Kosova nuk kanë asnjë gjasë që ta ndryshojnë gjendjen për të mirë, ndërsa për keq, jemi dëshmitarë të thellimit të hendekut. Ky fakt nuk është i parëndësishëm dhe këtu duhet kërkuar pikëbashkimin e fjalëve dhe të veprimit.
Misioni i EULEX-it në Kosovë duhet të përkrahet sepse, një pjesë e vendit vazhdon të mbetet peng nga bandat dhe grupet e ndryshme të inkriminuara që gëzojnë përkrahjen e një shteti pretendues ndaj Kosovës. Pra, situata është mbi mundësitë e institucioneve të Kosovës prandaj nëse jo EULEX-i, kush duhet ta bëjë marrëveshjen, që nuk ka dyshim se është e domosdoshme për Kosovën dhe për rajonin, që vazhdon të ketë shumë tensione të pakontrolluara në zona të veçanta. Aktualisht, Kosova dhe institucionet e saj nuk kanë shans për ndonjë marrëveshje më Serbinë. Rreth EULEX-it duhet të kujtojmë si ka ardhur, si është vendosur në Kosovë, cili ka qenë qëndrimi i Serbisë, për ta kuptuar së fundit aktin e marrëveshjes që, Serbia jo nga qejfi e ka pranuar, sepse nënshkrimi i saj realisht e legalizon EULEX-in për veprimet e tjera konkrete në terren.
Nga kjo pikëpamje, pakënaqësia e institucioneve të Kosovës ka arsye të jetë më e lehtë sepse, edhe nuk ka alternativë tjetër pos që EULEX-i pas marrëveshjes të ballafaqohet me “luftën efikase kundër krimit të organizuar, kalimit ilegal të kufirit, kontrabandës dhe që, kriminelët t’i bëjë të dalin para gjyqësisë së Kosovës…”