Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, kritikoi ashpër marrëveshjen bërthamore me Iranin, të vitit 2015, duke thënë se ajo “vetëm se vonon synimin e tij për t’u bërë shtet bërthamor” dhe nuk i adreson “provokimet e vazhdueshme alarmuese të Iranit” në Lindjen e Mesme.
Tillerson tha se rishikimi 90-ditësh i marrëveshjes nga administrata Trump do të përcaktojë nëse Irani po përmbush marrëveshjen dhe nëse sjellja e tij në rajon vazhdon të minojë interesat e SHBA-së.
“Marrëveshja nuk arrin objektivin e një Irani bërthamor”, tha Tillerson në një konferencë për media.
Derisa Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk synon të zhvillojë armë bërthamore, Tillerson tha se “ambiciet bërthamore të Iranit janë kërcënim për paqen dhe sigurinë në botë”.
“Një Iran i pakontrolluar ka potencial për të udhëtuar në të njëjtën rrugë si Koreja e Veriut”, tha Tillerson.
Marrëveshja midis Iranit dhe fuqive të mëdha botërore, përfshirë SHBA-në, ka imponuar kufizime të aktiviteteve bërthamore të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.
Tillerson tha se ka qenë gabim “korruptimi i një fuqie që ka ambicie bërthamore”, për kohë të shkurtër, dhe më pas “problemi i është lënë gjeneratave të ardhshme për t’u zgjidhur”.
Ai tha se administrata Trump nuk e ka ndërmend ta kalojë çështjen e Iranit te një administratë e ardhshme.
“Një politikë gjithëpërfshirëse për Iranin kërkon që ne t’i adresojmë të gjitha kërcënimet që paraqet ai dhe është e qartë se ka shumë të tilla”, tha Tillerson.
“Duhet ta shohim Iranin në një mënyrë gjithëpërfshirëse sa i përket kërcënimit që paraqet në të gjitha fushat e rajonit dhe botës”, shtoi ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përshkruar marrëveshjen bërthamore si ujdinë “më të keqe” të bërë ndonjëherë.
Gjatë një vizite në Riad, edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, e kritikoi fuqishëm Iranin.
“Kudo që shihni se ka probleme në rajon, e gjeni Iranin”, tha Mattis.
Edhe mbështetësit e marrëveshjes bërthamore kanë pranuar se ajo ka kufizime. Për shembull, me marrëveshje, pasurimi i uraniumit në Iran, që mund të përdoret për bomba bërthamore, është paraparë të përfundojë brenda një dekade.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili e ka cilësuar marrëveshjen si një nga arritjet e mëdha të tij, ka pranuar se ajo nuk i adreson shqetësimet në lidhje me rolin e Iranit në luftërat rajonale në Siri dhe Jemen apo zhvillimin e vazhdueshëm të raketave balistike.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se Irani do të hakmerret nëse SHBA shkel marrëveshjen bërthamore. /Rel/