Telegrafi

Marrëdhëniet tregtare me BE, përgjigjet pas 7 prillit

Qeveria e vendit ka formuar grupin koordinues për plotësimin e pyetësorit për marrëdhënie tregtare me BE-në të cilin do ta kryesoj ministri i Tregtisë dhe Industrisë Lutfi Zharku. Kryeministri i vendit Hashim Thaçi ka thënë në takimin e parë të Këshillit Ndërministror për pyetësorin e marrëdhënieve tregtare se deri më 7 prill do të jenë gati të gjitha përgjigjet adekuate që parashtron ky pyetësor.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi ka përsëritur refrenin për reforma në çdo dikaster të qeverisë së Kosovës, sundim të ligjit, qeverisje efikase dhe luftë kundër korrupsionit në rrugën për procesin e integrimit të Kosovës në BE. Zotimi i kreut të ekzekutivi është përsëritur në mbledhjen e Këshillit Ndërministror për pyetësorin për marrëdhënie tregtare me BE-në.

Thaçi ka thënë se angazhimi i qeverisë në përmbushjen e obligimeve që dalin nga raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian do të jetë më serioz dhe me efikas.

“Integrimi do të përcillet me qeverisje të mirë, efikase, luftë kundër korrupsionit, sundim të ligjit, lëvizje të lirë, punësim dhe infrastrukturë më të mirë “, tha Thaçi.

Kryeministri tha se së shpejti pritet që Kosova të merr edhe udhërrëfyesin e liberalizmit të vizave megjithëse nuk ka akoma sinjale të qarta se kur Kosova do të merr këtë udhërrëfyes.

“Ne presim që së shpejti të marrim edhe udhërrëfyesin për liberalizmin vizave dhe ky do të jetë një proces i rëndësishëm për vendin. Ne kemi marr disa masa dhe jemi duke punuar për reforma në të gjitha segmentet”, tha Thaçi. /rtklive/