Lajmi i përcjellë nga disa të përditshme shqiptare se opinioni serb është në ankth nga takimi midis dy qeverive shqiptare i ndërmarrë në Tiranë, nuk është një lajm i ri. Në fakt, opinioni publik serb, i përfaqësuar nga gjithfarë figurash, qofshin intelektualë që kanë hartuar projekte shfarosje dhe dëbimi për shqiptarët si rasti i Vasa Çubroloviq dhe Ivo Andriq, apo dhe të moderuar nëse ka pasur ndonjëherë të tillë që e kanë merituar të emërtohen me këtë term, ekzistencën e një Shqipërie që interesohet dhe pyet për fatin e bashkëkombësve të vet në Kosovë e kanë përjetuar si një makth shpirtëror dhe në gjuhën diplomatike e kanë pagëzuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë.
Në përgjithësi, historia e deri më tanishme e qasjes shqiptare, e Shqipërisë zyrtare përmes qeverisë së vet, ka qenë deri diku amatore, pa bosht të drejtë orientimi dhe me doza të theksuara folklorizmi, çka në fakt më tepër se mund t’i ketë shqetësuar nacionalistët serbë i ka bërë të vënë buzën në gaz. Mirëpo, takimet e përbashkëta midis dy qeverive, i pari në Prizren në qytetin me simbolikë të veçantë për gjithë shqiptarët dhe i dyti në Tiranë, kanë hedhur themelet jo vetëm për një bashkëpunim të ngushtë përmes fjalëve që i merr era, si ka ndodhur për më tepër se 16 vjet qysh kur Kosova filloi të shijonte frytet e lirisë, por për një bashkëpunim konkret në të gjitha fushat përmes marrëveshjeve të nënshkruara.
Ndryshimi i vizionit dhe fillimi i një politike moderne ndaj të drejtave të shqiptarëve në rajon, duke lënë pas retorikat boshe nacionaliste dhe duke ridimensionuar të gjitha potencialet e bashkëpunimit ndër shqiptarë ka hapur rrugën për një afrim gjithnjë e më të madh mes dy shteteve shqiptare. Ndjekja e modelit evropian, ku pikësëpari synohet një ekonomi e fortë e përbashkët, ku njëra të plotësojë tjetrën dhe anasjelltas, hedh themelet për një premisë shpresëdhënëse për krijimin e një zone albanosfere në ekonomi që do të bëjë të mundur që faktori shqiptar të mos jetë i përçarë nën ombrellën e sferave të tjera ekonomike, por edhe të ketë mundësinë që të shpalosë dimensionet e tij në të gjitha fushat e tjera, si arsim, kulturë, energjetikë, bujqësi etj.
Ky proces është krejtësisht i natyrshëm dhe nuk ka se paragjykohet për sa kohë është një projekt evropian dhe vjen si premisë e një bashkëpunimi rajonal. Ndjeshmëritë e Shqipërisë si shtet përkundrejt bashkëkombësve të vet për të realizuar lëvizjen e lirë të shtetasve të Republikës së Kosovës në Evropë, mbrojtjen e identitetit kombëtar e kulturor shqiptar në Mal të Zi apo zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, duhen parë si lëvizje emancipuese brenda një kuadri evropian, ashtu si kanë qenë të kuptueshme dhe vazhdojnë të jenë, interesimet e Greqisë për Qipron, apo të Hungarisë për të drejtat e hungarezëve në Rumani e gjithandej ku harta politike e shteteve evropiane nuk korrespondon me atë të kombeve.
Patriotizmi shqiptar i elitës andej dhe këndej kufijve nuk ka pse matet vetëm me mirëqeverisje, luftë kundër korrupsionit dhe administrim territori, por edhe me bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik, që eliminon praktikat korruptive për tregtinë midis dy vendeve, kulturë të përbashkët pa kufij që rrëzon muret e vjetra të ndërtuar mes vetit, administrim të përbashkët të baseneve ujore të Drinit dhe bashkëpunim të përbashkët në energji për të shmangur krizat ekonomike që i qëndrojnë si shpatë e Demokleut mbi kokë demokracisë.
Shqiptarët janë të ndërgjegjshëm që për ta shekulli XXI, shekulli ku liria dhe të drejtat e njeriut janë kthyer tashmë në një vlerë universale dhe standarde të vlerësimit të demokracisë, është shekulli i shumëpritur për të shijuar lirinë e mohuar të shekullit XX, të mbisunduar nga nacionalizmi etnik, ideologjitë ekstreme dhe Lufta e Ftohtë. Për këtë arsye ata duhet të kontribuojnë po aq sa dhe të tjerët për ndërtimin e një paqeje afatgjatë në Ballkan, duke e parë të shkuarën si një reflektim historik për të nxjerrë mësime dhe jo si një instrument të pavlerë që i nënshtrohet vetëm stendës së muzeve.
Orientimi proevropian i Shqipërisë prej më shumë se dy dekadash ka bërë të mundur dhe përqafimin e vlerave evropiane dhe shumë shembuj konkretë janë dhënë në këtë drejtim. Po Serbia? A ka shpëtuar nga e kaluara e vet? Hijet e Milosheviqit dhe gjithë platformave që i vunë zjarrin Ballkanit vazhdojnë të enden si fantazma në tragjeditë njerëzore në rajon. Ato dalin shpeshherë kërcënueshëm në koalicione qeveritare dhe qëndrime regresive të qeverisë serbe që më tepër sesa dëshmojnë një politikë të pavarur, janë shprehje të tumorit politik nacionalist prej të cilit Serbia ende nuk është kuruar. Këto fakte nuk duhen harruar dhe në emër të ndërtimit të një paqeje afatgjatë në Ballkan të mos vazhdohet të tolerohen si diçka e mirëqenë dhe tipare të pranueshme të shoqërisë serbe, por të kritikohen pothuajse njëlloj si kritikohet çdo deklaratë shqiptare që konsiderohet nga Bashkimi Evropian se tejkalojnë pritshmëritë dhe bien në sferën e nacionalizmit të mirëfilltë etnik. /Gazeta Shqip/