Site icon Telegrafi

Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, të forcohen nëpërmjet ekonomisë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim ministrin e Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, me të cilin bisedoi rreth intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Në takim, palët u pajtuan për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndërshtetëror me qëllim të rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve reciproke në të dyja vendet.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Tregtisë, për të arritur këto synime, bashkëbiseduesit shprehën gatishmëri të plote që të vazhdojnë kontaktet e tyre intensive në nivel institucional.

Ministrin e Financave të Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, e ka pritur edhe presidenti Hashim Thaçi, ku është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, sidomos në lehtësimin e të bërit biznes dhe në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare.

Presidenti Thaçi tha se marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve duhet të forcohen edhe më tej përmes bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

Nga ana tjetër , ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha se në kuadër të përpjekjeve për të dinamizuar bashkëpunimin, edhe sot do të mbahet një tryezë e përbashkët, që në fokus ka dialogun ndërshtetëror dhe të bërit biznes, me theks të veçantë në sfidat e qasjes në tregjet tona./KP/

Exit mobile version