Kostoja e konfliktit në Siri deri më tani ka arritur shumën prej 275 miliardë dollarë, por shpenzimet do të rriten në 1.3 trilion dollarë nëse kjo luftë vazhdon deri në vitin 2020, thuhet në një studim të ri të organizatës ndërkombëtare joqeveritare “World Vision”.
Këto të dhëna janë publikuar në raportin e titulluar “Çmimi i konfliktit për fëmijët”, të cilin “World Vision” e ka botuar në bashkëpunim me organizatën “Frontier Economics”, në të cilin vlerësohen humbjet ekonomike të konflikteve në Siri, Libi, Jordani dhe Turqi, transmeton Telegrafi.
“Deri më tani, 275 miliardë dollarë i ka kushtuar kjo luftë ekonomisë siriane, dhe vlen të theksohet se këto janë para të humbura. Kurrë nuk do të kthehen apo të shpenzohen për të ardhmen e fëmijëve, arsimimin, kujdesin shëndetësor, apo për një mjedis të sigurt dhe standard jetësor”, ka deklaruar Connie Lenenberg, drejtoreshë e programit për Lindjen e Mesme pranë “World Vision”. /Telegrafi/