Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka konfirmuar se Lautaro Martinez tashmë ka nënshkruar një kontratë të re, por Albert Gudmundsson i Genoas nuk është më në radarin e tyre.
Sulmuesi ka qenë në negociata tash e disa muaj për një marrëveshje, e cila raportohet se do të zgjatet deri në qershor të 2029 me një pagë të përmirësuar, sipas së cilës do fitonte 9 milionë euro në sezon.
“Ka përfunduar, ai tashmë ka nënshkruar dokumentet, por ne duam ta bëjmë zyrtare pas kthimit të tij nga pushimi”, ka thënë Marotta për Sky Sport Italia.
Lautaro Martinez momentalisht po i shijon pushimet pas një sezoni të ngarkuar ku fitoi Scudetton dhe Superkupën e Italisë, para se të shënonte në finale të Copa Americas për Argjentinën.
Ndërkohë, Marotta gjithashtu ka komentuar prurjet e reja të Interit, si Mehdi Taremi, Piotr Zielinski dhe Josep Martinez.
“Ne e kemi bërë ekipin konkurrues për objektivat tanë. Ne kemi një trajner të shkëlqyeshëm, një staf të nivelit të lartë dhe tifozë të jashtëzakonshëm”.
‘Nerazzurrët’ kanë qenë në bisedime me Genoan për Gudmundsson, por ata u tërhoqën mbrapa pasi mësuan çmimin e tij.
“Ai nuk është një opsion. Për momentin, ne kemi një sulm plotë kualitet dhe gola. Për momentin, ai nuk është ajo çfarë kemi nevojë”, përfundoi presidenti i Interit./Telegrafi/