Telegrafi

Marloui, poet po aq i madh sa Shekspiri: Pse e neglizhojmë?

Portreti i dramaturgut për të cili besohet se paraqet shkrimtarin 21-vjeçar Christopher Marlowe

Nga: Ben Lawrence / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Është e pamundur zbutja e Kristofer Marlouit [Christopher Marlowe]. Jeta e tij e zymtë, e cila ndoshta përfshinte kohën si spiun qeveritar dhe fundin me vdekje të dhunshme në një tavernë në jug të Londrës, ka lënë në hije punën e tij si poet dhe dramaturg. Si rrjedhojë, realizimet e dramave të tij – shumica e të cilave interpretohen shumë rrallë – ndihen si përafrime të biografisë së këtij djali të keq elizabetian: gjakderdhje që i afrohet absurditetit.

Natyrisht, kjo është tmerrësisht e padrejtë, meqë përul intelektin e tij të rrëmbyeshëm. Prandaj, shpresoj që shpallja e Teatrit të Marlouit për një grup të plotë veprave të filmuara (që do të dalin në treg në muajin e ardhshëm), do të ndihmojë disi në rivendosjen e reputacionit të Marlouit, duke e lejuar atë të dalë nga hija e bashkëkohësit të tij Uilliam Shekspir [William Shakespeare].

Ka arsye të dukshme se pse Shekspiri dominon jetën tonë kulturore dhe Marloui jo. Marloui nuk e ka mprehtësinë psikologjike të Bardit: personazhet e tij janë të bekuara me pak dyshime për veten dhe pa momente epifanike, ndërsa trajektorja e tyre zakonisht lidhet me fetishin për pushtet, qoftë nëpërmjet parave, pushtimit apo njohurive. Shfaqjet e tij ndihen të drejtpërdrejta dhe shpeshherë të pamëshirshme – manifestime të botës së dhunshme në të cilën ai jetoi.

E, megjithatë, është e vështirë ta përshkruash Marlouin si krijues të ngushtë. Shfaqja si Tamerlani i Madh, për jetën e perandorit të Azisë Qendrore të shekullit të XIV, përmban ide të mëdha. Zhvillohet në një skenë botërore, por megjithatë bën arsyetime për individualizmin, ndërkohë që është ende i vetëdijshëm për kufizimet e veta. Për ata – dhe unë dyshoj se ka shumë – të cilët mendojnë se Marloui është i mërzitshëm sepse ai nuk është i rëndësishëm, ata duhet të shikojnë Tamerlanin i cili është ende aktual për këtë kohë të despotëve dhe që ka një skenë në të cilën ai e djeg Kuranin, gjë që mbetet një nga më momentet më provokuese në historinë e teatrit. Çuditërisht, regjisorët e fundit e kanë hequr këtë skenë, veçanërisht në një realizim të vitit 2005 në Barbikan, për çfarë regjisori David Farr u akuzua për censurë.

Doctor Fausti, shfaqja më e shpeshtë e Marlouit, është gjithashtu më e keqkuptuara e tij. Kritikët pretendojnë se është zhytur në një koncept mesjetar të Parajsës dhe Ferrit të cilin audienca moderne e sheh si diçka të tejkaluar. Kjo më duket irrituese: ajo që Fausti ilustron në mënyrë kaq të mirë është se Marloui është kapur mes Mesjetës dhe epokës së hershme moderne, mes besimit te demonët dhe mendimit racional e shkencor. Kjo nuk është befasi: i kishte kaluar ditët e tij në Kembrixh duke u zhytur te Ovidi kur duhej të studionte teologjinë.

Trazira te Marloui ekziston në mendimet e tij fetare (nuk ishte tamam jobesimtar, por sigurisht që ishte racionalist); në botëkuptimin e tij intelektual dhe në seksualitetin e tij. Si homoseksual dhe heterodoks, puna e tij gjithmonë do të ishte e ndërlikuar. Dhe, kjo mund të jetë problem për krijuesit e teatrit të cilët mund të ankohen se Marloui tenton të intelektualizojë gjithçka – ndryshe nga ai bir i vetvetishëm i tokës dhe kohës së vet.

Megjithatë, puna e Marlouit, nëse bëhet siç duhet, mund të lëndojë emocionalisht. Kjo shihet më qartë te Eduardi II, ku shqyrton marrëdhënien me mbarim të keq mes monarkut të Plantagjenëve dhe të dashurit të tij Piers Gaveston. Ta quash Eduardin II “shfaqje homoseksuale”, kjo është anakronike, por megjithatë ndihet si lutje për të drejtat e homoseksualëve, sepse është kaq e hapur ndaj mbretit dhe të preferuarit të tij. Ndoshta edhe sot kjo paraqet problem për Marlouin – kjo dashuri ku në qendër ka mashkullin, nuk mund të ketë aq rëndësi për audiencën, ose në disa raste të tolerohet po aq sa dashuria konvencionale që shohim te Shekspiri.

Marloui vdiq në moshën 29-vjeçare – nuk do të kënaq teoricienët e konspiracionit të cilët besojnë se ai mbijetoi dhe se vazhdoi të shkruajë veprat e plota të Shekspirit – dhe rrjedhimisht dramat e tij janë drama të të rinjve, me gjithë zellin dhe bollëkun që kjo nënkupton. Është i trishtueshëm fakti se nuk i kemi parë kurrë veprat e pjekura të Kristofer Marlout. Megjithatë, besoj se në poezinë e tij e kemi një aluzion të asaj që do të vinte. Në fakt, këtu mendoj se e shihni më qartë shkëlqimin e Marlouit dhe aty do të drejtoja unë këdo, skeptikët apo ata që s’e njohin punën e tij.

Ai është përgjegjës për poemën baritore Bariu i pasionuar pas dashurisë së vet, që na jep vargun e përsosur: “Eja të jetosh me mua dhe bëhu dashuria ime”; ndërkohë, poema e papërfunduar narrative e dashurisë, Heroi dhe njeriu luan, është po aq e mirë sa çdo gjë që shkroi Shekspiri dhe sigurisht më e preferueshme se Venera dhe Adonis, një tjetër romancë nga Ovidi. Puna e Marlouit është në të njëjtën kohë prekëse dhe qesharake, e çuditshme dhe e pashpjegueshme – “Trupi i tij ishte i drejtë si shkopi i Kirkës; Jupiteri mund nxirrte nektar nga dora e tij” – mungesa e përfundimit është të njëjtën kohë zhgënjim dhe dhimbje.

George Bernard Shaw e mallkoi Marlouin kur e përshkroi atë si “bisha e vërtetë elizabetiane me vargjet bosh”. Shaw e kishte gabim në lidhje me këtë, pasi ai kishte gabuar për shumë gjëra. Marloui ishte vizionar, i zgjuar dhe, nëse e shikoni si duhet, ishte human. /Telegrafi/