Marlon Brando e quante Stella Adlerin – autoren e librit të njohur për aktrimin – një mjeshtre për të zbuluar të fshehtat e aktorit.
“Për mua, Stella Adler është shumë më tepër se një mësuese aktrimi. Përmes punës së saj ajo përçon llojin më të vyer të informacionit – si të zbulojmë natyrën e mekanizmave tanë emocionalë dhe prej këtej ato të të tjerëve. Ajo asnjëherë nuk iu dorëzua shfrytëzimit vulgar, sikurse kanë bërë disa të ashtuquajtura ‘metoda’ të njohura të aktrimit. Si rrjedhojë, kontributet e saj ndaj kulturës teatrore kanë mbetur në masë të madhe të panjohura, të papranuara dhe të pavlerësuara”, thotë ai.
Sipas Brandonit, ajo qe e vetmja nga artistët amerikanë që shkoi në Paris për të studiuar me Konstantin Stanislavskin, i cili vetë qe një vëzhgues mjeshtëror i sjelljes njerëzore dhe figura më e spikatur në teatrin rus.
Ajo solli në këtë vend një dituri të teknikës së tij dhe ia bashkangjiti mësimdhënies së saj. Ajo nuk e mendonte, se mësimet e saj do të kishin ndikim në kulturën teatrale anembanë botës. Pothuajse e gjithë filmografia kudo në botë është prekur nga filmat amerikanë, e cila, si pasojë, është ndikuar nga mësimet e Stella Adlerit. Janë të shumtë njerëzit, që e kanë dashur atë, dhe ne i detyrohemi shumë asaj.
“U jam mirënjohës kontributeve të paçmuara, që ajo i ka dhënë jetës sime dhe ndihem i privilegjuar, që kam qenë pjesë e shoqërisë dhe e familjes së saj, profesionalisht dhe personalisht gjatë gjithë jetës sime”, thotë Brandon. /Shqip/