Site icon Telegrafi

Florian Marku nënshtron Ramirezin dhe fiton titullin WBC Silver

(Foto: Twitter/BOXRAW)

Florian Marku ka triumfuar përballë Miguel Parra Ramirez në meçin e vlefshëm për titullin WBC Silver në kategorinë e mesme të lehtë.

I pamposhturi ‘The Albanian King’ u ndesh në Air Albania Stadium në Tiranë, në mbështetjen e mijëra tifozëve shqiptarë që kishin shkuar për ta mbështetur.

Ish-ylli i MMA kërkonte titullin WBC Silver ndaj kundërshtarit në kategorinë e tij dhe këtë e arriti pas 10 raundeve.

Ramirez e nisi më mirë përballjen, mirëpo me kalimin e raundeve, filloi dominimi i shqiptarit.

Marku e rrëzoi rivalin e tij në raundin e katërt, por më pas pësoi një të carë në kokë që nuk i pengoi të vazhdonte dominimin.

Në raundet pesë dhe gjashtë, ‘Mbreti shqiptar’ ishte më i kujdesshëm duke u mbrojtur dhe duke marrë kontrollin mbi kundërshtarin e tij.

 

Në raundin e shtatë, Marku i shkaktoi një të çarë nën syrin e djathtë të meksikanit, por ai vazhdonte të mos dorëzohej.

Raundi i tetë ishte i vështirë për Florianin, pasi u rrëzua dhe e pati të vështirë të mbahej deri në mbyllje të këtij raundi.

Në raundin e parafundit, boksieri shqiptar arriti të konsolidohej dhe të rikthehej për ta mbizotëruar boksierin meksikan.

Marku vazhdoi të sulmonte edhe në raundin e fundit, edhe pse thjesht duhej ta mbante epërsinë me pikë, por dëshira e tij ishte që të fitonte me nokaut, megjithatë Ramirez u mbajt deri në rënien e gongut.

Me vendim unanim të gjyqtarëve (96-91, 96-91 dhe 95-92), titullin vakant WBC Silver të përkohshëm e fitoi ‘The Albanian King’, Florian Marku. /Telegrafi/

Exit mobile version