Telegrafi

Marko Simonovski ylli i javës në Albi Mall Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.

Çmimi i më të mirit në javën e shtatë në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Drita, Marko Simonovski.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Skender Kapra nga KFV Liria, Ridvan Osmani nga KFV Vushtrria dhe Arben Fazlija nga KFV Gjakova.

Komisioni vlerësoi se Simonovski me paraqitjen e tij dhe tre golat e shënuar ishte vendimtar në fitoren e skuadrës së tij në derbin kundër Gjilanit (4:1).

Ky njëherësh ishte ‘Hat-trick’-u i parë në historinë e këtij derbi.

Pasi mori këtë çmim sulmuesi nga Maqedonia e Veriut u shpreh i lumtur që edhe në këtë edicion po gëzon formë të mirë dhe po e jep kontributin e pritur për skuadrën.

“Ky çmim për mua do të thotë shumë. Shpresoj që këtë edicion do të kthehem shumë herë për ta marrë çmimin e më të mirit të javës. Mendoj se Drita do të ketë një kampionat më të mirë se sa në edicionin e kaluar. Besoj që këtë herë do të dalim kampion dhe për këtë po punojmë ndeshje pas ndeshje”, ka theksuar Simonovski për faqen zyrtare të FFK-së.