Telegrafi

Marko Gjuriq vjen nesër në Mitrovicë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, do të qëndrojë nesër në Mitrovicën veriore.

Siç njoftojnë mediat serbe, Gjuriq do të marrë pjesë në ceremoninë e ndezjes se pemës së Krishtlindjes Ortodokse e cila do të mbahet të hënën në orën 16:00 në Kishën e ‘Shën Dimitrit’ në Mitrovicën veriore, përcjell Telegrafi.

Jetlir Zyberaj, shef i stafit të Ministrit në detyrë, Behgjet Pacolli, ka thënë për Gazetën Express se Gjuriq u ka bërë kërkesë institucioneve të Kosovës, e cila i është aprovuar.

“Ka qenë i rregullt dhe shumë i disiplinuar në parashtrimin e kërkesës dhe i është aprovuar”, ka thënë ai.

Ndryshe, Marko Gjuriq në mars të vitit 2018 ishte arrestuar në veri të Mitrovicës për shkak të hyrjes brenda territorit të Kosovës, edhe pse atij nuk i ishte dhënë leja për të vizituar Kosovën. /Telegrafi/