Qeveria e Serbisë e ka emëruar sërish edhe për tre muaj tjerë Marko Gjuriqin, si ushtrues detyre i drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, raportojnë mediat serbe.
Gjuriq ka kryesuar me këtë zyrë që nga maji i vitit 2014, edhe pse atij i është shtyrë çdo tre muaj pozita e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, transmeton Telegrafi.
Në të njëjtën ditë, Qeveria ua ka zgjatur edhe për tre muaj tjerë edhe tre zëvendësve të Gjuriqit, Damjan Joviq, Dushan Kozhareva dhe Zhelko Joviq.
Në pozitën e ushtruesit të detyrës si drejtor i Zyrës për Kosovën dhe zyrtarit për lidhje pranë misionit të BE-së në Prishtinë, ka emëruar sërish për tre muaj tjerë, Dejan Paviçeviqin.
Për tre muaj tjerë është rizgjedhur sërish Dushan Jovoviq, që mban postin e ushtruesit të detyrës së ndihmësit të Paviçeviqit, kurse gjenerali i pensionuar Dragan Vladisavleviq është riemëruar për tre muaj tjerë në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Zyrës për çështje koordinuese në procesin negociues me Prishtinën.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë i ka tre zëvendës dhe gjashtë ndihmës drejtorë. /Telegrafi/