Telegrafi

Marketingu, kontra-efekt për Kosovën

Të dhënat e fundit tregojnë për rënie drastike të investimeve vitin që lamë pas, përkundër fushatave të ndryshme të marketingut, të cilat buxhetit të shtetit i kushtuam më shumë se 5 milionë euro. Kështu përpjekjet e Qeverisë për ta prezantuar Kosovën nëpër mediet e fuqishme përmes marketingut kanë dështuar.

Në vend se të sjellin investime, ato shënuan rënie. Sipas të dhënave të ministrit së Tregtisë dhe Industrisë, gjatë vitit 2010 në Kosovë u investuan rreth 200 milionë euro, gati 100 milionë më pak sesa një vit më parë. Edhe këto investime janë bërë në patundshmëri dhe shërbime financiare dhe ndërtimtari.

Secilin vit me qindra miliona euro janë duke rënë investimet e huaja në Kosovë. Raportet e fundit për Kosovën, kanë bërë që investitorët e huaj të mos duan të prishet me të madhe imazhi i Kosovës karshi atyre që kanë planifikuar ta investojnë kapitalin e tyre në Kosovë. Por, edhe ata që pranojnë të vijnë në start ballafaqohen me dhënie të mitos për t’iu kryer një punë, mungesë të energjisë elektrike, procedurat burokratike…

Mustafë Hasani, kryeshef i Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Kosovës, tha se bazuar në të dhënat e nxjerra nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), deri në tremujorin e tretë të vitit 2010 janë investuar 204 milionë euro.

Sipas tij, shtetet të cilat prijnë për investime të huaja direkte gjatë tremujorit të tretë të vitit 2010 janë: Sllovenia, Gjermania, Austria, Zvicra, Britania e Madhe, Turqia, Holanda, Shqipëria, SHBA-ja dhe Franca, ndërsa sektorët në të cilët janë përqendruar investimet janë në shërbime financiare, prodhim, transport dhe telekomunikacion, ndërtimtari, bujqësi, industri përpunuese dhe tjera.

Ai tha se gjatë vitit 2011 në Kosovë ka pasur vizita nga investitorët potencialë, të cilët janë të interesuar për investime në Kosovë, përfshire edhe mundësitë e privatizimit, projekteve për partneritet publiko-privatë si dhe gjetjes së partnerëve të përbashkët për investime. Sipas tij, kryesisht investitorët që janë interesuar gjatë vitit 2011 janë nga Austria, Sllovenia, Gjermania, Anglia dhe Turqia.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Kosovës (APIK) prej janarit 2000 e deri në fund të vitit 2010, në Kosovë janë regjistruar 3905 kompani të huaja, të cilat kanë deklaruar së kanë të punësuar 24 mijë e 387 të punësuar.

Zyrtarë nga MTI-ja thonë se investitorët kryesisht vijnë nga Shqipëria, Sllovenia, Gjermania, Italia, Britania e Madhe SHBA-ja, Kroacia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria. /Zëri/Telegrafi/