Site icon Telegrafi

Mark Rutte do të jetë shefi i ardhshëm i NATO-s pasi ka siguruar mbështetjen edhe të Rumanisë

Mark Rutte do të jetë sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i NATO-s pasi të 32 anëtarët e aleancës ranë dakord që kryeministri holandez në largim do të pasojë Jens Stoltenberg.

Pas miratimeve nga Hungaria dhe Sllovakia të martën, Rumania konfirmoi mbështetjen e saj për Rutte të enjten, me presidentin rumun Klaus Iohannis që tërhoqi kandidaturën e tij për postin kryesor të NATO-s, shkruan Politico, përcjell Telegrafi.

Sipas mediumit në fjalë, gjatë një takimi të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes Kombëtare, Iohannis tha se kishte njoftuar aleatët e NATO-s për tërheqjen e kandidaturës së tij.

Dhe siç vlerëson Politico, Rutte do të marrë drejtimin e NATO-s në një kohë kritike.

Puna e tij e re do të fillojë më 2 tetor, pak më shumë se një muaj përpara zgjedhjeve në SHBA, të cilat do të formësojnë fatin e aleancës ushtarake që ka shërbyer si parandalimi më i suksesshëm i Evropës Lindore ndaj një Rusie agresive.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kandidati aktual republikan, është zotuar të qëndrojë në NATO, por kërcënoi se do të shkurtojë ndihmën e SHBA-së për Ukrainën nëse rizgjidhet president.

Konfirmimi i Rutte do të thotë gjithashtu se çështja do të zgjidhet përpara korrikut, kur udhëheqësit e NATO-s shkojnë në Uashington për të shënuar 75-vjetorin e aleancës. /Telegrafi/

Exit mobile version