Cristiano Ronaldo është lojtari më i mirë në botë dhe gjithmonë është i uritur për më shumë – ka thënë bashkëlojtari i tij te Portugalia, Mario Rui.
Superylli i Juventusit shënoi het-trik në fitoren prej 6-0 kundër Lituanisë në ndeshjen kualifikuese për ‘Euro 2020’ duke i kthyer vitet prapa.
Mario Rui e ka lëvduar 34-vjeçarin, i cili i ndihmoi kombëtares së tij që t’i afrohej kualifikimit për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
“Ai është më i miri në botë, kurrë nuk lodhet së fituari, gjithmonë dëshiron më shumë, ndërsa uria e tij e bën ai që është”.
“Jemi të lumtur që e kemi në skuadër shpresoj që të vazhdojë të na kënaqë ashtu siç ka bërë deri më tani”, ka deklaruar mbrojtësi i majtë i Napolit, transmeton A Bola.
Pasi e shënoi het-trikun e 55-të në karrierë (me klube dhe me kombëtare), Ronaldo ka arritur në kuotën e 98 golave me përfaqësuesen duke iu afruar rekordit të Ali Daei (me 109 gola). /Telegrafi/