Telegrafi

Marina e SHBA-së shkarkon kapitenin e aeroplanmbajtëses që ngriti alarmin për coronavirusin – tregohet se çfarë kishte thënë ai

Kapiteni i aeroplanmbajtëses “Theodore Roosevelt” është shkarkuar pasi tha se Marina amerikane nuk po bënte sa duhet për të ndaluar një shpërthim të coronavirus në bordin e aeroplanmbajtëses.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Kapiteni Brett Crozier u kishte kërkuar eprorëve të tij të vepronin për të parandaluar trupat amerikane të vdesin jashtë kohës së luftës.

Por sekretari në detyrë i Marinës së SHBA-së, Thomas Modly tha që komandanti “ushtroi gjykim jashtëzakonisht të dobët”.

Siç bëhet e ditur, të paktën 100 njerëz në anije janë infektuar, thonë raportet.

Çfarë tha sekretari i marinës amerikane?

Të enjten, Modly u tha gazetarëve se kapiteni Crozier ishte pushuar nga puna pasi dyshohet se ua kishte dhënë letrën medieve.

Ai tha se letra “krijoi përshtypjen që Marina nuk po i përgjigjej kërkesave të tij”.

“Ajo krijon perceptimin që Marina nuk është në punë; qeveria nuk është në punë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë”.

Sipas BBC, anëtarët e pa infektuar më shumë se 4,000 ekuipazhit të anijes tani po karantinohen në Guam pasi guvernatori i territorit të ishullit amerikan në Oqeanin Paqësor perëndimor tha që ata mund të qëndrojnë për aq kohë sa ata nuk kishin ndërveprime me vendasit.

Por çfarë thoshte letra e kapitenit Crozier?

Ai e kishte paralajmëruar Pentagonin se shpërthimi në bordin e anijes së tij po “përshpejtohej” sepse anëtarët e ekuipazhit po jetonin në hapësira të mbyllura.

“Ne nuk jemi në luftë. Detarët nuk kanë nevojë të vdesin”, thuhet në letrën me katër faqe, të datës 30 mars.

Kapiteni Crozier kishte thirrur për “veprim vendimtar”, duke thënë se marinarët e pa infektuar duheshin larguar nga anija dhe të izoloheshin.

Letra u botua më vonë nga San Francisco Chronicle. /Telegrafi/