Telegrafi

Marina amerikane nxjerr nga fundi i Detit Mesdhe aeroplanin që kishte rënë nga aeroplanmbajtësja USS Harry S. Truman

Një ekip i marinës amerikane ka arritur ta nxjerr aeroplanin ushtarak nga fundi i Detit Mesdhe, pasi një stuhi e fortë dhe e papritur e goditi aeroplanmbajtësen amerikane.

Incidenti ka ndodhur më 8 korrik, kur nga moti i ligë dhe erërat e fuqishme e rrëzuan nga aeroplanmbajtësja USS Harry S. Truman, transmeton Telegrafi.

Megjithatë marina amerikane filloi operacionin e nxjerrjes së fluturakes, dhe me sukses gjithçka përfundoi.

Për ta nxjerrë nga uji janë përdorur mjete të ndryshme që komandohen nga distanca, e litarët e veçantë u përdorën për ta vendosur mbi sipërfaqen e ujit.

Ishte pikërisht anija MPV Everest që përdoret për misione të ndryshme, që asistoi marinën për ta nxjerrë aeroplanin e ushtrisë amerikane, raporton CNN.

“Një përgjigje e shpejtë dhe e kombinuar brenda ekipit mundësoi që të kryhet me sukses operacioni për nxjerrjen e aeroplanit 27 ditë pas incidentit”, thuhet në kumtesën e marinës amerikane. /Telegrafi/