Telegrafi

Marina amerikane: Jemi të gatshëm të ndihmojnë në zhbllokimin e Kanalit të Suezit – mund të dërgojmë ekspertë për çlirimin e anijes

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të gatshme të ndihmojnë në çlirimin e anijes transportuese që ka ngecur tash e pesë ditë në Kanalin e Suezit – duke dërguar një ekip të ekspertëve të marinës amerikane që do të mund të arrinte shpejtë në vendin e ngjarjes, ka bërë të ditur sot një zyrtare amerikane.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jennifer Psaki, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar ndihmë autoriteteve egjiptiane që ta çlirojnë Kanalin e Suezit, transmeton Telegrafi.

Ajo ka theksuar se bisedimet janë duke vazhduar dhe shpreson që së shpejti do të mund të thonë diçka më shumë lidhur me këtë çështje.

E zëdhënësi i komandës së ushtrisë amerikane, ka njoftuar që Pentagoni planifikon një mision të mundshëm duke pranuar se i kanë ofruar ndihmë Egjiptit – duke theksuar se do të shqyrtojnë çdo kërkesë konkrete që mund ta pranojnë.

Ekipet e shpëtimit nga vende të shumta kanë vazhduar sot aksionin e zhbllokimit të Kanalit të Suezit, ku anija transportuese po qëndron e bllokuara nga e marta në një nga rrugët më të frekuentuara ujore në botë.

Anija “Ever Given” sot ka bërë një lëvizje të lehtë, ndërsa shumë anije janë kyçur në operacionin e çlirimit të saj, kanë bërë të ditur zyrtarët kompetentë për mbikëqyrjen e trafikut në këtë kanal.

Në anën tjetër ushtria amerikane ka njoftuar se komanda e tyre që mbulon tërë Lindjen e Mesme, është e angazhuar për mbrojtjen e trafikut detar në atë rajon.

Një zyrtar i ushtrisë amerikane ka thënë se SHBA-të i kanë ofruar ndihmë autoriteteve egjiptiane, duke dërguar një ekip ekspertësh amerikanë nga marina amerikane.

E nëse Egjipti e kërkon një gjë të tillë, atëherë SHBA-të do të mund nesër të dërgojnë nga Bahreini ekspertët që gjenden në Flotën e Pestë, por një kërkesë e tillë deri më tani nuk është bërë.