Telegrafi

Marihuana tregon potencial në trajtimin e sëmundjeve autoimune

Marihuana është droga më e përdorur e paligjshme në Shtetet e Bashkuara, por ndërkohë që shumë shtete e legalizojnë drogën për qëllime mjekësore dhe madje edhe rekreative, studimet kërkimore si ky janë duke zbuluar aplikime të reja dhe inovative shëndetësore të mundshme për Listën federale të drogave.

Marihuana tani është duke u përdorur rregullisht dhe me sukses për ta lehtësuar nauzenë (të përzierat) dhe të vjellat të cilat shumë pacientë me kancer i përjetojnë si efekte anësore të kimioterapisë, për ta luftuar sindromën gërryes që shkaktohet tek disa raste me AIDS që të humbin sasi të konsiderueshme të peshës dhe masës muskulore dhe për ta lehtësuar dhimbjen kronike e cila nuk reagon ndaj opioideve, në mesin e aplikimeve të tjera, transmeton koha.net.

Studimi i universitetit ka zbuluar edhe një aplikim tjetër potencial të marihuanës, në dobësimin e reagimit imunitar për t’i trajtuar sëmundjet autoimune. Punimi bazohet në zbulimet e fundit shkencore që mjedisi në të cilin njerëzit jetojnë në fakt mund të shkaktojë ndryshime që ndodhin jashtë ADN-së së njeriut, por megjithatë mund të shkaktojë ndryshime në funksionin e gjeneve të kontrolluara nga ADN-ja.

Këto molekula të jashtme të cilat e kanë aftësinë për ta ndryshuar funksionin e ADN-së njihen në përgjithësi si epigjenome. Në këtë studim, hulumtuesit deshën të zbulojnë nëse tetrahidrocannabinoli i gjetur në marihuanë ka kapacitet të ndikojë në shprehje të ADN-së përmes rrugëve epigjenetike jashtë vetë ADN-së.

Gjetjet e fundit tregojnë se THC e marihuanës mund t’i ndryshojë molekulat kritike të epigjenomeve të quajtura histone, duke çuar në dobësimin e inflamacionit. Këto rezultate sugjerojnë se një ndikim potencial negativ i përdorimit të marihuanës mund të jetë dobësimi i inflamacionit të dobishëm në trup. Por ato gjithashtu sugjerojnë se, për shkak të influencës epigjenetike drejt dobësimit të inflamacionit, përdorimi i marihuanës mund të jetë i efektshëm në trajtimin e sëmundjeve autoimune si artriti, lupusi, koliti, skleroza e shumëfishtë dhe sëmundje të ngjashme, në të cilat inflamacioni kronik luan një rol qendror. /Telegrafi/