Telegrafi

Marigona nga Vitia që vizaton sy shumë real (Foto)

Marigona Toma, një 23-vjeçare nga Vitia, ka talent të pabesueshëm në pikturim. Ajo aktualisht është studente në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe thotë se piktura është pasioni i saj.

Punimet e fundit të syrit që ajo i ka bërë i kanë mahnitur shumë njerëz, të cilët i kanë pëlqyer ato në llogaritë e saj në rrjete sociale.

“Piktura është pasioni im. Unë si e vogël kam bërë punime të ndryshme arti, por shpeshherë nuk i merrja ato seriozisht”, thotë ajo për lajmi.net.

Marigona kohët e fundit është duke marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare dhe kombëtare, të cilat e ndihmojnë atë që të avancojë në fushën e saj.

“Piktura është shumë e rëndësishme për mua. Mund të them se ajo ka një vend shumë të veçantë në jetën time. Frymëzimin për të pikturuar e gjej në çdo gjë të bukur, në atë që të tjerët nuk e shohin nëse nuk e kanë ‘syrin artistik’. Shpesh eksperimentoj me punime dhe më pëlqejnë të gjitha llojet e artit, ku i punoj me shumë kënaqësi dizajnet, artin abstrakt dhe skulpturat”, shton ajo.

Sa i përket punimeve të syrit, Marigona filloi së pari duke iu bërë fotografi atyre – të cilat më vonë i shndërroi në piktura që më pas u pëlqyen shumë në rrjetet sociale.

Në pyetjen “Pse pikturon aq shumë sytë?” ajo thotë: “Sytë janë pasqyre të shpirtit. Përmes tyre shprehen gjërat që përmes fjalëve nuk mund të shprehen. Sytë mbartin në vete histori të ndryshme për çdo njeri – qoftë gëzimi, pikëllimi apo lumturie”.

Punimet e saj të mahnitshme të syrit mund t’i shihni më poshtë: