Ndonëse Kosova ka dhjetëra parti politike, vetëm disa nga ato arrijnë të fitojnë një përqindje votash sa për të qenë brenda institucioneve, qoftë të nivelit lokal apo të nivelit qendror. Secila nga këto parti sulmon tjetrën për mënyrën se si menaxhohet një qytet apo vendi në përgjithësi.
Aktualisht, udhëheqja në Kosovë është goxha e polarizuar sidomos ajo e nivelit lokal, meqë nuk ka subjekt që ka qenë fuqi parlamentare dhe nuk e udhëheq të paktën një komunë.
Kemi Partinë Demokratike të Kosovës që udhehq me disa qytete të mëdha, si dhe me disa qyteza; ashtu kemi edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që udhëheq me disa nga qytetet e mëdha, ndonëse bastionin kryesor Prishtinën e humbi nga Vetëvendosja; pastaj kemi AAK-në që udhëheq me disa qyteza të vogla, ashtu siç kemi AKR-në dhe Nismën që po ashtu udhëheqin komuna në pushtetin lokal.
Edhe në zgjedhjet parlamentare, pothuajse të gjitha subjektet kanë qenë pjesë e pushtetit, përjashtuar Vetëvendosjen. Fillimisht Kosova kishte një koalicion të zgjeruar më të gjitha partitë, LDK, PDK, AAK; pastaj ishte koalicioni LDK-AAK; për të vazhduar me PDK-LDK. Koalicioni i parafundit ishte PDK-AKR dhe ky i tanishmi PDK-LDK. Me këtë specifikim, kalova nëpër disa lëvizje të subjekteve politike për koalicione në periudha të ndryshme.
I gjithë ky rekapitulim nuk është më i rëndësishëm se fakti që të gjitha subjektet politike relevante në Kosovë, qoftë ne nivel komunal ose në nivel qendror, ishin në pushtet. Pra, të paktën kanë provuar të udhëheqin dhe të menaxhojnë qoftë një komunë, një drejtori e një ministri. Prandaj, në përputhje me hapësirën dhe nivelin e udhëheqjes, të gjitha kanë treguar defekte. Është normale: ajo parti që ka pushtet më shumë, mund t’i vërehen edhe defektet më shumë; ashtu siç është normale që ajo parti që ka pushtet më pak edhe defektet i vërehen më pak. Mirëpo, e përgjithshmja është se të gjitha e kanë treguar “marifetin” e qeverisjes.
Se si qeverisë PDK, LDK dhe AAK me shtetin, e kemi kuptuar, sepse të tria kishin drejtuar minimum një mandat Qeverinë. Ndërsa, për ta kuptuar se si do të qeveriste Vetëvendosje, mund ta marrim si “marifet” qeverisjen në Prishtinë, një qeverisje e mbushur me dështime, me punësime të militantëve partiakë, me favorizime në tenderë dhe me premtime të pambajtura. Po ashtu, mostër se si do të qeveriste AKR e kemi Mitrovicën, një qeverisje e ‘kërpudhave’, pa dinamikë, me një përqindje të madhe të premtimeve të pambajtura, me një kryetar komune të paparashikuar dhe aspak stabil, me punësime familjare dhe partiake etj. Gjithashtu, edhe Nisma ka treguar një pasqyrë se si do ta qeveriste vendin: mjafton të marrim si mostër udhëheqjen e Malishevës, ku qytetarët flasin për një komunë të kapur komplet nga Nisma.
Për të dal nga subjektiviteti i preferencave të mia politike, konsideroj se Kosova në të gjitha nivelet qeverisëse meriton më mirë dhe më shumë.