Nënkryetari i LSDM-së, Bojan Mariçiq, falënderoi delegatët e Kongresit të LSDM-së për besimin e dhënë, dhe theksoi se është nder dhe motivim për të që të jetë kandidat për deputet në Njësinë zgjedhore 1.
“Anëtarët dhe simpatizantët e LSDM-së, demokratët, përparimtarët, këta janë qytetarët që luftojnë për vlerat evropiane dhe që luftuan për të gjitha ndryshimet pozitive nga pavarësia e tutje. Prandaj, me gjithë dijen, me gjithë forcën dhe fuqinë, ne do t’i çojmë këto zgjedhje drejt fitores për një të ardhme evropiane për të gjithë ne. Nuk ka anulim, nuk do të ketë fare”, ka theksuar Mariçiq.
Ai shtoi se anëtarësimi i plotë në BE për Maqedoninë e Veriut është misioni ynë, të cilin do ta përmbushim deri në vitin 2030.
“Gjatë fushatës do të dëgjojmë çdo qytetar maqedonas dhe do t’ua prezantojmë të gjithëve planin tonë për një Maqedoni evropiane. Të mos e kërkojmë Evropën jashtë shtëpive tona, të arrijmë në BE duke përmirësuar shoqërinë tonë sipas standardeve evropiane. Themelet janë: Vazhdimi dhe përfundimi i negociatave me BE-në deri në vitin 2028! Më shumë fonde të BE-së për një ekonomi më të fortë maqedonase! Më shumë masa kundër krizës për qytetarët! Kapacitete të reja energjetike për energji elektrike më të lirë! Masa kufizuese dhe dënime të larta për korrupsionin! Gjuha dhe identiteti maqedonas në BE”, përfundoi Mariçiq.