Site icon Telegrafi

Mariçiq: Me propozimin francez të modifikuar kemi marrë atë për të cilën luftojmë me vite

Me propozimin francez të modifikuar, të pastër, të plotësuar, morëm atë për të cilën kemi luftuar me vite, që është një formulim i pastër i gjuhës maqedonase, pa asnjë fusnotë, yll, shpjegim, që është më e rëndësishmja për ne në ruajtjen e interesave kombëtare. Ne arritëm ta mbrojmë gjuhën maqedonase ashtu siç premtuam. Qytetarët nuk kanë për çfarë të shqetësohen, gjuha maqedonase me këtë propozim bëhet një nga gjuhët e ardhshme zyrtare të Bashkimit Evropian. Me mbrojtjen e gjuhës maqedonase ne në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurojmë mbrojtjen e identitetit të popullit maqedonas, deklaroi zv. kryeministri Bojan Mariçiq për “Blic”.

“Dëshmi për këtë është fakti se propozimi francez i referohet edhe Marrëveshjes së Prespës, kjo do të thotë se ne do t’i fillojmë negociatat si maqedonas që flasin gjuhën maqedonase, ashtu siç është përcaktuar me Marrëveshjen e Prespës, me të cilën Maqedonia e Veriut ka marrë kartën personale në Kombet e Bashkuara dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare në të cilat është anëtar.

Duke i hequr marrëdhëniet dypalëshe nga korniza e negociatave dhe duke mbrojtur plotësisht gjuhën dhe identitetin maqedonas, kemi një propozim që nuk na dëmton ne dhe interesat e shtetit, përkundrazi, jep një shans për të përmbushur qëllimin strategjik të shtetit dhe atë që e kemi pritur 17 vjet, që është fillimi i negociatave si maqedonas që flasin gjuhën maqedonase”, theksoi Mariçiq.

Mariçiq tha se edhe Bullgaria nuk e ka pranuar menjëherë propozimin francez, por ka pasur debat në Kuvend dhe ka pasur tensione edhe atje./Telegrafi/

Exit mobile version