Zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, sot ka mbajtur takim pune me krerët e delegacioneve të BE-së në vend, i pari që kur Maqedonia e Veriut ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian, në të cilin u theksua se Maqedonia e Veriut ka kapacitetin për të qenë një histori e suksesshme evropiane.
“Kemi vendosur një synim ambicioz që deri në vitin 2030 të jemi gati për të hyrë në BE dhe ju siguroj se kjo Qeveri është plotësisht e përkushtuar për këtë. E dimë që nuk do të jetë gjithmonë e lehtë, por besoj se nëse të gjithë bëjmë përpjekjet e duhura, është e realizueshme”, theksoi, Mariçiq.
Krerët e delegacioneve të BE-së në vend përshëndetën fillimin e fazës së parë të negociatave, procesin e skriningut dhe konfirmuan se Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë për të siguruar dinamikë të mirë dhe rrjedhë të suksesshme të negociatave./Telegrafi/