Maqedonia ende ka gjasa që të dalë nga situata në të cilën u gjend pas disa deklaratave të presidentes së re Gordana Siljanovska Davkova dhe mandatarit Hristijan Mickoski për përdorimin e emrit kushtetues pas çka nga pala greke erdhën paralajmërime serioze. Zv/kryeministri në largim Bojan Mariçiq në “Daily Click” tha se duhet pasur kujdes në marrëdhëniet me Greqinë dhe me respektimin e Marrëveshjes së Prespës sepse ajo ka ndikim të fuqishëm në BE. Mund të na ndodhë bllokadë të re nga Greqia nëse Maqedonia nuk e përdor emrin kushtetuese, tha Mariçiq.
“Nëse qeveria jonë, përkatësisht qeveria e re fillon dhe vazhdon që të mos e përdor emrin kushtetues duke e bërë këtë temë kryesore në çdo mbledhje ndërkombëtare ku Greqia nuk do ta lëshojë mundësinë prej kësaj të bëjë poentë, një pjesë e madhe e shteteve mund të solidarizohen me Greqinë dhe presioni të jetë ndaj nesh dhe shumë shpejt të gjendemi para një bllokade të re nga ana e Greqisë që nuk do të jetë në interesin tonë”, tha Bojan Mariçiq .
Këto ditë edhe presidentët e SHBA-ve dhe Francës, Xho Bajden dhe Emanuel Makron dërguan mesazh deri te qeveria e re që t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare. Mandatari Hristijan Mickoski në deklaratën e djeshme tha se marrëveshjet janë rrugë në dy drejtime përkatësisht ato duhet të respektohen nga të dyja palët.
“Në të njëjtën kohë, pres që nënshkruesi i dytë, që është fqinji ynë jugor, t’i respektojë ato. Ne kemi krijuar një dokument se sa është zbatuar nga ana jonë, sa është zbatuar nga pala greke dhe planifikojmë t’ia prezantojmë atë kujtdo që është kureshtar të dijë se sa e respektojnë të dyja palët marrëveshjen ndërkombëtare dypalëshe”, deklaroi Mickoski.
Në lidhje me zhvillimet me Bullgarinë tani pasi është e sigurt se Bojko Borisov do të formojë qeverinë e re, Mariçiq thotë se nga ana jonë ai mund të hyjë vetëm në një lloj diskutimi, pra një angazhim deklarativ që ndryshimet kushtetuese janë maksimumi dhe se nuk do të ketë kërkesa të reja.
“Mendoj se ajo që do të përpiqet qeveria e re e OBRM-PDUKM është që të hyjë në një lloj bisede me qeverinë bullgare për një lloj zotime deklarative që ndoshta do të nënkuptojë një lloj garancie se nuk do të ketë tema të reja, çështje të reja, të reja, bllokime pas ndryshimeve kushtetuese. Qeveria e re bullgare nuk do të rinegociojë kornizën e negociatave dhe kushtet në të cilat do të vazhdojnë negociatat”, theksoi Mariçiq.
Mickoski dje ka shmangur përgjigjen nëse Borisovin e sheh si politikan të zgjuar me të cilin do të bisedonte për marrëveshjen. Lidhur me këtë, ambasadori i BE-së David Geer së fundmi tha se qeveria e re mund të dëshirojë të hyjë në rinegociime me Bullgarinë, por siç theksoi, është e vështirë të paramendohet se mund të arrihet një marrëveshje apo Kornizë negociuese më e mirë./TV21/