Site icon Telegrafi

Mariçiq në takim me Lajçak: Maqedonia e Veriut është sinonim për dialog konstruktiv

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajcak, në të cilin është theksuar se “për partnerët tanë të BE-së, Maqedonia e Veriut është shembull pozitiv për zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët dhe një vend që po përparon me vendosmëri drejt BE-së”.

“Ne udhëheqim, avokojmë dhe mbështesim politika të bazuara në vlerat evropiane, të cilat nuk kthejnë në të kaluarën, por çojnë në një perspektivë të qartë të BE-së dhe ofrojnë stabilitet, prosperitet dhe mirëqenie për qytetarët tanë”, tha Mariçiq.

Në takim, Mariçiq u njoftua për ecurinë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe përshëndeti progresin në negociata dhe mundësinë e re për mbylljen e çështjeve të hapura.

Siç njoftojnë nga kabineti i Mariçiqit, bashkëbiseduesit konfirmuan se zgjedhja e Ohrit si vendi ku do të diskutohet për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski si mikpritës i takimit, është dëshmi se Maqedonia e Veriut është sinonim i dialogut konstruktiv, pjekurisë dhe përgjegjësisë në Rajoni.

Në takim u diskutua edhe për situatën e brendshme politike, çështjet e hapura në rajon dhe rëndësinë e konfirmimit të bashkimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në me një plan të qartë.

Kryenegociatori me BE-në e informoi Lajçakun për rrjedhën e shqyrtimit dhe u shpreh pritshmëria që Maqedonia e Veriut të avancojë shpejt në reformat dhe të ruajë vazhdimësinë e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Takimin Mariçiq e mbajti në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, ku do të qëndrojë deri në fund të javës së punës për shkak të mbajtjes së takimeve dypalëshe të shqyrtimit për Kapitullit 2: “Tregu i brendshëm”.

Exit mobile version