Qeveria e RMV-së në seancën e sotme ka miratuar vendim me të cilin udhëzohet zv. kryeministri për Çështje Evropiane dhe Sekretariati për Çështje Evropiane që të ofrojnë mbështetje institucionale për zbatimin e iniciativave dhe marrëveshjeve në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, theksojnë nga shtypi i Qeverisë.
Ky vendim paraqet fuqizim të kapaciteteve institucionale për intensifikimin e zbatimit të projekteve në kuadër të kësaj nisme rajonale.
Koordinimi i “Ballkanit të Hapur” dhe iniciativave rajonale nga Qeveria realizohet nga Koordinatori Nacional për Ballkanin e Hapur dhe Iniciativa Rajonale, Marjan Zabrçanec dhe Koordinatorja Nacionale për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrim Evropian, Nola Ismajloska-Starova.
Kryeministri Kovaçevski dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut janë nikoqire e Samitit të ardhshëm të liderëve për “Ballkanin e Hapur” që do të mbahet në gjysmën e parë të qershorit në Ohër./Telegrafi/