Telegrafi

Mariçiq-Bregu: Synimi ynë është BE-ja, ndaj është e rëndësishme të punohet paralelisht për bashkëpunimin rajonal

Zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në margjinat e takimit ministror të BE-së të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), pati një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu.

Në takim u diskutua statusi i marrëveshjeve rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit, zbatimi i tyre dhe aktivitetet e radhës të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, për të cilat Mariçiq thotë se janë “një hap pozitiv drejt përgatitjes së Ballkanit Perëndimor për futjen në tregun e përbashkët të BE-së”,

Zv. kryeministri shtoi se bashkëpunimi rajonal është pjesë integrale e integrimit evropian dhe kyç për arritjen e anëtarësimit në BE. Në këtë kontekst, ai tregoi se bashkëpunimi rajonal mbetet një nga prioritetet e politikës së jashtme për Maqedoninë e Veriut dhe se do të vazhdojë të jetë partner konstruktiv i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

“Ne si shtet do të vazhdojmë të kontribuojmë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe do të punojmë në mënyrë aktive në kuadër të Procesit të Berlinit dhe nismave të Ballkanit të Hapur, nga të cilat qytetarët e Maqedonisë dhe ekonomia kanë përfitime konkrete”, tha Mariçiq.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin rajonal dhe njohjen e rëndësisë së marrëveshjeve që u nënshkruan në Samitin e Procesit të Berlinit, nëntorin e kaluar./Telegrafi/