Telegrafi

Mariçiq: Ardhja e Steinmeier është sinjal i mbështetjes së vazhdueshme për anëtarësimin e Maqedonisë në BE

Zv. kryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, ka pritur në takim presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili sapo ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

“Është nderi im t’i bëj një mirëseardhje të ngrohtë Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier!

Vizita e parë zyrtare e presidentit Steinmeier, pas vetëm katër muajsh nga fillimi i negociatave për anëtarësim, është sinjal i qartë për qëndrimet e Gjermanisë për integrimin e rajonit në BE dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut ka për anëtarësim në BE.

Do të kemi kohë të mjaftueshme për të hapur tema të rëndësishme për rajonin, për promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për sfidat me të cilat përballet e gjithë Evropa”, ka shkruar zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Mariçiq në profilin e tij në Facebook.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Steinmeier në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjatë së cilës ai do të zhvillojë takime me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski, si dhe do të ketë një fjalim para Kuvendit./Telegrafi/