Telegrafi

Maria Suokko merr detyrën si përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë

Maria Suokko (Finlandë) është emëruar Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë dhe ka filluar punën sot, më 17 qershor.

Sipas njoftimit për media, ajo zëvendëson Alessandra Roccasalvo, e cila ka qenë në këtë detyrë nga 1 janari 2019.

“Para emërimit në këtë detyrë, znj. Suokko ishte këshilltare e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës në Helsinki që nga shtatori 2017. Ajo gjithashtu shërbeu si Udhëheqëse për Bashkëpunim pranë MPJ të Finlandës në Myanmar (2014-2017) dhe Këshilltare e Lartë në MPJ të Finlandës (2012-2014)|, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, njoftimi thekson se përvoja e saj me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përfshin postin e Specialistes të Programit në Byronë Rajonale për Azi dhe Paqësor (2006-2010), Ndihmës Përfaqësuese e Përhershme në UNDP Kinë (2001-2005), Menaxhere e Programit Mjedisor të UNDP-së në Kamboxhia (2000- 2001) dhe Zyrtare e Programit në UNDP Tajlandë (1998-2000).

Ndërsa ajo ka një diplomë Master në Shkencat Sociale (Ekonomi) nga Universiteti i Helsinkit.

“Pas emërimit të saj si Përfaqësuese e Përhershme në zyrën e UNDP-së në Kosovë, znj. Suokko tha: “Unë po e marr këtë detyrë në një moment shumë të rëndësishëm pasi zyra po shënon 20 vjetorin e bashkëpunimit të suksesshëm në Kosovë. Me padurim pres që të takoj të gjithë partnerët tanë kosovarë dhe ndërkombëtarë dhe të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta në mbështetjen e rrugës së zhvillimit që do të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë”, thekson njoftimi.

Sipas komunikatës përveç gjuhës finlandeze, Maria gjithashtu flet anglisht, suedisht, si dhe, deri në një masë, frëngjisht dhe gjermanisht, ndërsa thuhet se asaj i pëlqejnë shëtitjet në natyrë dhe pret me padurim të eksplorojë natyrën e bukur në Kosovë dhe më gjerë./Telegrafi/