Me largimin e pronarit Roma Abramovich, nga Chelsea pritet të largohen edhe kryetari i klubit, Bruce Buck dhe drejtoresha Marina Granovskaia.
Dyshja janë figura shumë me ndikim në sukseset e Chelsea t gjatë viteve të fundit dhe kanë qenë pjesa thelbësore e ekipit të Abramovich në terren.
Marina Granovskaia është lavdëruar ndër vite për sukseset e saj në transferimet dhe politikat e klubit.
Por Abramovich kërkon të nxitojë për shitjen e klubit të tij dhe dyshja mund të largohen pas disa javësh.
Pse Abramovich po shet Chelsean?
Vendimi i Abramovich për të shitur është rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.
Duke pasur parasysh marrëdhëniet e tij të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin – të cilën ai e mohon – Abramovich thuhet se është në listën e individëve që qeveria britanike po synon ta sanksionojë.
Këto masa nuk janë zbatuar ende – pavarësisht se lideri laburist Keir Starmer i kërkon qeverisë konservatore ta bëjë këtë – dhe mbetet për t’u parë nëse Abramovich mund ta përfundojë shitjen brenda një afati kohor.
Ai tashmë ua ka dorëzuar “administrimin dhe kujdesin” e klubit administratorëve të fondacionit bamirës të Chelseat, por procesi i shitjes mund të marrë javë apo edhe muaj për t’u finalizuar.
Ai kërkon 3 miliardë euro – diçka që shihet si një vlerësim i lartë dhe ekziston vetëm një grup i përzgjedhur individësh që mund të përballojnë këtë blerje.
Kush mund ta blejë Chelsean?
Një prej tyre mund të jetë britaniku Sir Jim Ratcliffe, themeluesi i Ineos Group. Ai raportohet se ka një pasuri prej 7.5 miliardë euro.
Ratcliffe është një tifoz i përjetshëm i Manchester United, por ka biletë sezonale te Chelsea.
Ai tashmë zotëron skuadrën e Ligue 1, Nice, dhe ekipin profesionist të çiklizmit Ineos Grenadiers, i cili u largua nga Team Sky.
Gjithashtu në listën e mundshme të blerësve është edhe amerikani Todd Boehly.
Boehly është një pjesë e pronësisë së LA Dodgers dhe LA Lakers, dhe thuhet se kishte një ofertë të mëparshme për Chelsean që u refuzua në 2019.
Dy emra të tjerë në kornizë janë miliarderi zviceran Hansjorg Wyss, i cili dha lajmin për dëshirën e Abramovich për të shitur, dhe pronari i Miami Dolphins, Stephen Ross. /Telegrafi/