Trajneri i ri i Chelseat, Enzo Maresca konfirmoi se ai i telefonoi ish-trajnerët të Bluve, Claudio Ranieri dhe Carlo Ancelottin për të kërkuar këshilla përpara se të vendoste të kalonte në Stamford Bridge më herët gjatë verës.
Italiani konfirmon se ai ka folur me Ranierin në shumë raste, veçanërisht para se t’i bashkohej Leicester Cityt në Champions sezonin e kaluar.
Maresca iu bashkua Chelseat me një kontratë pesëvjeçare në fillim të korrikut, pasi e ndihmoi Leicesterin të ngjitej në Ligën Premier në fund të sezonit 2023-24.
Strategu 44-vjeçar do të takohet sërish me ish-mentorin e tij Pep Guardiola të dielën në mbrëmje, kur Chelsea pret Manchester Cityn në përballjen e tyre të parë në Ligën Premier për sezonin 2024-25.
“Sapo firmosa, thirra Ranierin”, deklaroi Maresca në konferencën e tij për shtyp të premten. “E bëra sepse e kisha bërë edhe vitin e kaluar, para se të nisja sezonin me Leicesterin. Ne fituam atëherë, kështu që mendova ta bëja përsëri”.
Një tjetër nga ish-trajnerët e tij ishte gjithashtu gati për të dhënë këshilla. Maresca kishte luajtur nën Ancelottin për një sezon te Juventusi në fillim të mijëvjeçarit.
“Kam biseduar edhe me Carlo Ancelottin para miqësores me Real Madridin”, shtoi ai. “Si ai dhe Ranieri folën me entuziazëm për ekipin dhe përvojën e tyre këtu”.
“Për mua, sukses do të thotë një ekip që po përmirësohet vazhdimisht dhe që me kalimin e kohës arrin të zvogëlojë hendekun mes nesh dhe skuadrave që aktualisht po dominojnë futbollin anglez”, vazhdoi ai. /Telegrafi/