Telegrafi

Marchisio: Nuk pendohem për largimin nga Juve, numrin 10 e zgjodha për shkak të Del Pieros

Claudio Marchisio (Foto: Epsilon/Getty Images/Guliver)

Claudio Marchisio ka thënë se nuk pendohet që u largua nga Juventusi, ndërsa k a treguar arsyen se pse e zgjodhi numrin 10 te Zenit St Petersburgu.

Mesfushori që e kishte kaluar gjithë karrierën te Bianconerët, në verën e kaluar vendosi të transferohej në Rusi për të luajtur më shumë.

Claudio Marchisio si lojtar i Juventusit (Foto: Getty Images/Guliver)

“Ishte një periudhë shumë e tensionuar, gjithçka ndodhi në një periudhë të shkurtër kohore”, ka thënë Marchisio në një intervistë për Sky, e cila të premten do të transmetohet si e plotë.

Lexo po ashtu Lajmet për Marchision

“Megjithatë, unë gjithmonë e kam përdorur mendjen në përpjekje për të marrë vendimin e duhur. Doja të gjeja një klub të ri për të luajtur më shumë, prandaj e bëra këtë veprim pa kurrfarë pendimi, sepse jeta vazhdon. Akoma e kam dëshirën për të vazhduar të fitoj”.

Claudio Marchisio bart numrin 10 te Zeniti (Foto: Epsilon/Getty Images/Guliver)

“Unë kisha biseduar me (Giorgio) Chiellinin dhe (Andrea) Barzaglin në zhveshtore dhe këshillat e tyre ishin shumë të rëndësishme”.

“Tash mendoj për të tashmen, sepse Zeniti dëshiron t’u kthehet triumfeve dhe ky është objektivi i të gjithëve. Duam të shkojmë sa më larg në Europa League dhe ta kthejmë titullin këtu bë St Petersburg”.

Del Piero është idhulli i Marchisios (Foto: New Press/Getty Images/Guliver)

“Numri 10? E zgjodha për arsye të ndryshme, kryesisht për shkak të Alessandro Del Pieros. Ai ishte idhulli im që kur isha fëmijë dhe numri ishte në dispozicion, unë erdha kur sezoni ishte duke u zhvilluar”.

“Nuk e konsideroj veten si një 10 i vërtetë, kam tjetër rol, por jam i lidhur me këtë numër dhe mu dha mundësia që ta mbaja”, ka deklaruar italiani. /Telegrafi/