Telegrafi

Marc-Olivier po kalon formë të mirë me Malishevën, klubi shqiptar shfaq interesim për anglezin

Yoan Marc-Olivier është një befasitë e këndshme në BKT Superligë këtë sezon me fanellën e Malishevës.

Anglezi erdhi në Kosovë, në janarin e vitit 2020, kur nënshkroi për Istogun.

Me këtë klub ai kishte paraqitje të mira, ku tërhoqi vëmendjen e klubeve të Superligës, pasi në një ndeshje të Kupës së Kosovës, ndaj Gjilanit, ai shënoi një herë dhe asistoi një herë në fitore, duke i eliminuar gjilanasit. Me Istogun ai doli top shënues i skuadrës.

Këtë sezon ai ka kaluar te Malisheva në Superligë, ku e kishte një fillim të hovshëm.

Ai deri më tani ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asistim, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të kësaj skuadre.

Telegrafi mëson se paraqitjet e mira me Malishevën, kanë bërë që klubi i Laçit të shpreh interesim për Marc-Olivier.

Lojtari ka kontratë me Malishevën deri në fund të sezonit, por dimri pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e tij.

Malisheva mban vendin e gjashtë në Superligë me 12 pikë të tubuar. /Telegrafi/