Telegrafi

Marashi, komandantëve në politikë: Dimë edhe ne të flasim

Veterani i luftës së UÇK-së, Pren Marashi, i cili gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte Komandant i Batalionit 4, Brigada 138, në profilin e tij në Facebook ka reaguar ndaj komandantëve të dikurshëm që tashmë janë pjesë e politikës së Kosovës. Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Keq e filluat edhe këtë vit.

Neve aspak nuk na intereson fakti që jeni duke treguar me gisht dhe duke fajësuar njëri-tjetrin në lidhje me aspekte të caktuara të luftës çlirimtare.

Edhe sikur të gjithë ju të bini dhe të mos jeni, kjo krenari dhe kjo emblemë nuk do ta zbeh shkëlqimin e përjetshëm, të cilën e kemi dhuratë nga gjaku i dëshmorëve, mundi dhe sakrifica e luftëtarëve të lirisë.
Mëshoni njëri-tjetrit sa të mundeni, mos harroni se luftëtarët, tani veteranë, janë ata që e bënë luftën dhe ju ngritën me emër dhe nam.

Sa herë e keni ngritur zërin për t’i mbrojtur dhe ndihmuar?

Ne akoma s’po hapim gojë, sepse ju po bëni politikë dhe lojë. Dimë edhe ne të flasim dhe besoni që zemra armiqve do t’ju kënaqej sikur të flisnim mbarë e mbrapshtë ashtu siç po bëni ju. Por jo, jemi luftëtarë dhe krenarë, dhe ju bëjmë apel që të merreni me mirëqenien e luftëtarëve qe i kishit afër dhe pa të cilët do të ishit askush dhe asgjë!”, ka shkruar Marashi. /Telegrafi/