Kryesia e klubit është mbledhur të enjten në darkë, ndërsa ka vendosur që të largojë Marajn nga ekipi. KF Vëllaznimi ka kërkuar që edhe Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht Komisioni Disiplinor i saj, të marrë masat konform rregulloreve, raporton Koha Ditore e së shtunës.
Vendimi është bërë i ditur përmes një komunikate që Vëllaznimi e ka lëshuar të premten, të nënshkruar nga kryetari i klubi Agim Koci.
Sipas KF Vëllaznimi, "veprimi i Marajt ishte i paprecedent në historinë 86-vjeçare të klubit".
Leondrit Maraj, i cili në takim me Ferronikelin për herë të parë luajti nga fillimi i takimit me fanellën e Vëllaznimit, ishte ndërruar pa përfunduar pjesa e parë. I pakënaqur me këtë vendim, në dalje e sipër nga fusha ai ka goditur në fytyrë trajnerin Ibrahim Domi. Ky i fundit ka thënë se nuk ka përjetuar diçka të tillë në karrierën e tij, transmeton Koha Ditore.
"Sulmi fizik ndaj trajnerit në një ndeshje zyrtare para publikut dhe para kamerave televizive, nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë me asnjë rrethanë lehtësuese. Një sjellje e tillë është kulmi i mosdisiplinës për një sportist, e pse jo edhe për një njeri", thuhet ndër të tjera në vendimin e KF Vëllaznimi.
"Vëllaznimi ia ka hapur dyert Leondrit Marajt, kur të gjitha klubet tjera ia kishin mbyllur. Po ashtu i është dhënë rasti i duhur për të dëshmuar cilësitë e veta. Të gjitha këto dëshmojnë se ai nuk ka pasur të drejtë morale që të jetë i revoltuar për statusin në klubin tonë", është thënë më tej në vendim. /Telegrafi/