Legjenda argjentinase, Diego Maradona, është caktuar trajner i ekipit Al-Fujairah FC nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
56-vjeçari i rikthehet punës së trajnerit për herë të parë nga viti 2012 kur u shkarkua nga ekipi tjetër i EBA, Al Wasl.
Klubi i tij i ri e ka postuar në Twitter fotografinë e Maradonas duke e mbajtur fanellën e Al-Fujairah.
“Dua t’u njoftoj se jam trajneri i ri i Al-Fujairah, në ligën e dytë të Emirateve të Bashkuara Arabe”, ka shkruar Maradona në faqen e tij në Facebook.
Diego Maradona është një prej futbollistëve ikonikë të Argjentinës. Ai i ka ndihmuar kombëtares së tij që ta fitojë Kupën e Botës në vitin 1986, ndërsa ishte edhe trajner i përfaqësueses gjatë viteve 2008-2010. /Telegrafi/