Kjo javë përmbylli takimin e dytë ndërmjet ekipeve negociuese të Maqedonisë dhe Greqisë në New York për çështjen e emrit.
Megjithëse u prit shumçka, një gjë vazhdon të mbetet e pazbuluar, propozimi apo propozimet konkrete për emrin që do të zgjidhte çështjen shumëvjeçare ndërmjet të dy shteteve, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Ndonëse ndërmjetësi Matthew Nimetz deklaroi se ka zhvillime pozitive, përfaqësuesi i Maqedonisë, Vasko Naumovski shfaqi skepticizëm se me ato propozime mund të arrihet një zgjidhje.
Edhe pse u thanë këto gjëra, sërish tymnaja rreth emrit të Maqedonisë vazhdon të mos zhduket pasi që asnjëra palë nuk ka përmendur ndonjë propozim konkret, duke u lënë hapësirë mediave që të shpekulojnë shumë rreth kësaj çështje.
Kjo situatë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se një jotransparencë nga të gjitha palët. Nuk mund të kuptohet se për çfarë arsye duhet të mbahet kjo fshehtësi, përderisa kjo çështje vazhdon të bllokoj Maqedoninë në integrimet euro-atlantike.
Nga mediat greke janë publikuar disa propozime si, Republika Maqedonia e Re, Republika Maqedonia Veriore, Republika Maqedonia e Vardarit, Republika Maqedonia e Epërme, apo Republika Maqedonia (Shkupi).
Akush nuk i pohon këto shkrime mediale, por askush nuk i mohon të njëjtat. E gjithë kjo nuk ofron asgjë tjetër përpos një hapësirë për shpekulime mediale të cilat shfrytëzohen në maksimum nga palë të treta që nuk janë të interesuar që rajoni të arrij një stabilitet afatgjat.
Derisa ne presim të rejat rreth kësaj çështje, një gjë është e sigurtë, një emër duhet gjetur për këtë shtet./Telegrafi/